I rrejshëm
Një video e disa punëtorëve që po punojnë në një antenë nxiti debate dhe komente të shumta në rrjetet sociale. Përshkrimi i videos thotë se në afërsi të fshatit Bogovinë të Tetovës gjatë orëve policore janë montuar antena për rrjet 5g. Në hashtag është e vendosur edhe fjala #corona, duke u bazuar në lajmet e rreme që u përhapën për mundësinë e përhapjes së virusit korona nëpërmjet rrjetit 5G.
“Gjatë orës policore montohen antenat 5G afër fshatit Bogovinë (Tetovë)!”, thuhet në përshkrimin e videos.
I rrejshëm
Antena e cila shihet në video është në pronësi të kompanisë A1 dhe ajo nuk është montuar për aktivizim të rrjetit 5g, njoftojnë nga A1.
Për shkak të ngarkesës së madhe të rrjetit, meqë njerëzit tani punojnë nga shtëpia, thonë nga A1, ekspertët teknikë të tyre monitorojnë vazhdimisht kapacitetet e rrjetit dhe marrin vazhdimisht masat e duhura teknike për të siguruar integritetin e rrjetit në rast trafiku jashtëzakonisht të lartë ose vështirësi të tjera teknike, që do të thotë përmirësim i vazhdueshëm i rrjetit ekzistues, në mënyrë që të ofrohen pa probleme shërbimet që njerëzit përdorin.
Sipas A1, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me antenën në fshatin Bogovinë, ku shkaku i ngarkesës së madhe janë ndërmarrë aktivitete të caktuara për sigurim të funksionimit pa pengesa të rrjetit të A1 në atë zonë.
“Ditët e kaluara janë ndërmarrë aktivitete të caktuara në stacionin bazë në komunën e Bogovinës me qëllim të funksionimit pa pengesa të shërbimeve për shfrytëzuesit e A1 Maqedoni në këtë zonë, me përdorimin e teknologjive ekzistuese që janë përdorur dhe përdoren deri më tani”, thonë nga A1.
Kjo antenë nuk është montuar për rrjet 5G, njoftojnë nga A1 Maqedoni, meqë frekuencat për përdorim komercial të shërbimeve 5G akoma nuk janë caktuar nga Agjencia për Komunikime Elektronike.
“Aktivitetet në këtë stacion bazë në Bogovinë nuk kanë të bëjnë me futjen ose aktivizimin e një rrjeti 5G, pasi frekuencat për përdorim komercial të shërbimeve 5G akoma nuk janë caktuar nga Agjencia e Komunikimeve Elektronike”, thonë nga A1.
Të njëjtën e konfirmojnë edhe nga Telekom Maqedoni.
“Ky nuk është një stacion 5G sepse në Maqedoni nuk ka rrjet 5G në përdorim. Institucionet kompetente nuk kanë kryer madje as ndonjë procedurë për caktim të frekuencave për 5G”, njoftojnë nga Telekom.
Përhapja e virusit korona në botë bëri që shumë njerëz të vënë në dyshim mënyrën e përhapjes së këtij virusi dhe shkaqet për të njëjtën. Në rrjete sociale u shpërndanë lajme të rreme për ndikimin e mundshëm të rrjetit 5G në përhapjen e këtij virusi, si dhe ngordhjen e zogjve si pasojë e këtij rrjeti. Të dy këto artikuj janë tashmë të demistifikuar dhe të konstatuar si të rrejshëm nga Mythbuster.
15/04/2020
Copyright © Myth Buster.
A project by Democracy Lab
Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.