Operation InfeKtion

Burimi: KDPolitik

Link

Data: 02/05/2020

Për Klubin e Debatit Politik

Sefer Selimi Jr.

Në Korrik të vitit 1983, në një gazetë lokale të Indisë publikohet një artikull që pretendon se SIDA është krijuar nga shkencëtar qeveritar të Amerikës si armë për të asgjësuar afro-amerikanët dhe personat LGBT. Kjo histori që në pamje të parë duket komplet absurde dhe e publikuar në një gazetë të vogël lokale në një cep të botës nuk do të duhej të përbënte ndonjë shqetësim. Por vetëm disa vite më vonë, ky lajm fillon të përhapet me shpejtësi në të gjithë kontinentin Afrikan. Ky pretendim madje mbulohet edhe me një raport nga dy shkencëtar të Gjermanisë Lindore të cilët pretendojnë se mund të vërtetojnë që SIDA është shpikur në SHBA. Vetëm disa muaj më vonë, pretendim bëhet lajm edhe në vetë SHBA-të dhe kështu lajmi pushton botën. Sot 50 vite më vonë shumë njerëz ende besojnë në vërtetësinë e këtij pretendimi dhe shpesh mund ta dëgjosh si ‘’fakt’’. 

Në një dokumentar emblematik për dezinformimin ‘’Operation InfeKtion’’, New York Times dekonspiron të gjithë procesin e sajimit dhe shpërndarjes së lajmit nga KGB-ja ruse dhe hedh dritë mbi Departamentin A i cili ishte përgjegjës për falsifikime, agjentë influencues dhe krijimin e lajmeve të rrejshme. Vetëm ky departament ka pasur një numër prej mbi 15,000 të punësuarish në BRSS dhe jashtë tij me aktivitete të rregullta ditore, më shumë se sa i gjithë Departamenti i Shtetit Amerikan. Masat aktive ose subverzioni ideologjik, siç e quajnë ish agjentët rus në dokumentar, ka pasur për qëllim që ndryshojnë perceptimin për realitetin tek çdo amerikan, deri në atë masë që pavarësisht shkallës së informimit, askush të mos jetë në gjendje të vijë në një konkluzion të arsyeshëm në interes të mbrojtjes së vetes së tyre, familjes, komunitetit dhe shtetit të tyre. Ata, ish agjentët, dekonspirojnë edhe lajme të tjera të rrejshme të cilat sigurisht që i keni hasur në teori konspirative, madje ndoshta edhe në filma e dokumentar të ndryshëm si për shembull teorinë konspirative që CIA e ka vrarë Xhon Kenedin, ose që CIA ka tentuar të vras Papa Gjon Palin e II apo që amerikan të pasur blejnë fëmijë nga Amerika Latine për të marrë organet e tyre. Dokumentari pasqyron në detaje të gjithë procesin se si lajmet e rrejshme të publikuara në një gazetë irelevante pastaj përdoren nga media propaganduese dhe ju jepet jehonë dhe besueshmëri nga masa, duke fshehur përgjegjësinë dhe lidhjen me KGB-në në mënyrë që e njëjta të jetë e pranueshme dhe e besueshme nga më shumë aktor. 

Ky dokumentar  pasqyron situatën aktuale me dezinformimin, i cili sipas ish-agjentit rus në dokumentar nënkupton informacion i shtrembëruar qëllimisht, i cili lëshohet në mënyrë sekrete në procesin e komunikimit për të mashtruar dhe manipuluar opinionin. Ndonëse sot, kjo teknikë është sofistikuar me përdorimin në masë të mediumeve sociale si FaceBook dhe Twitter, logjika dhe teknika thuajse janë të njëjta. Në një hulumtim të Laboratorit për Forenzikë Digjitale të Këshillit Atlantik të titulluar ‘’Operation Infektion i dyti’’  ekspozohen ngjashmëritë e procesit dhe si koncepti i vjetër gjen mënyra të reja për të qenë efektiv. Kësaj radhe përmes profileve të rrejshme në FaceBook dhe Twitter, duke përdorur faqe dhe platforma të ndryshme online, histori të trilluara që kanë për qëllim të nxisin përçarje, të hedhin dyshime dhe të minojnë demokracinë apo relacionet mesh partnerëve – operacione të cilat thuajse sigurt burojnë nga Rusia dhe me shumë gjasë nga agjenci të inteligjencës, ndjekin të njëjtën trajektore për të arritur deri tek publiku. 

Me shpërthimin e pandemisë shpërtheu edhe infodemia e lajmeve të rrejshme. Të gjithë u bombarduam nga teori konspiracioni, lajme të trilluara që përhapnin panik dhe frikë mes qytetarëve. Nga teori absurde që e lidhnin rrjetin 5G me koronavirusin (shembuj këtu edhe këtu) deri tek implantimi i mirkoçipave nga Bill Gejts (shembull këtukëtu dhe këtu). Natyrisht që jo të gjitha janë produkt i drejtpërdrejtë i agjencive inteligjente ruse, por bazën dhe konceptin e kanë hedhur që moti dhe ndër vite e kanë perfeksionuar, të ndihmuar edhe nga idiotët e dobishëm dhe sharlatanët (shembull këtu dhe këtu) që mundohen të shfrytëzojnë momentumin e krijuar për famë ose profit.  

Copyright © Myth Buster.

A project by Democracy Lab

Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.