I rrejshëm

Shokuese/ Shkencëtarja kineze tregon te vërtën rreth koronavirusit(VIDEO)

cover image

Myth Buster: Shefkije Alasani

Post Link

Date: 20/05/2020

Miti

Përderisa shtetet rreth e qark botës po luftojnë me pandeminë COVID19, nga ana tjetër vazhdon intensiteti i lartë i përhapjes së lajmeve të rrejshme. Së fundi, në internet po qarkullon një video ku pretendohet se “një shkencëtare kineze e tregon të vërtetën rreth Koronavirusit”. Video-mesazhi është i mbushur me një sërë pretendimesh jo logjike dhe të pa bazuara në fakte shkencore.

Pretendimet:

1. Citim nga profesori Chen Horin drejtor i spitalit ushtarak në Pekin - Fakulteti i Shkencave mjekësore, Universiteti Zanjan Kinë

2. Koronavirusi i ri është një shkrirje e gjeneve të gjarprit dhe lakuriqëve

3. Konsumimi i lartë i Vitaminës C eliminon COVID19

4. Limoni i nxehtë mund të kurojë të gjitha kanceret. Acidet dhe acidet karboksilike që gjindën në lëngun e limonit mund të rregullojnë: presionin e lartë të gjakut, të mbrojnë arteriet e ngushta, rregullojnë qarkullimin e gjakut dhe zvogëlojnë mpiksjen e gjakut.

I rrejshëm

Demistifikim

Pak kohë më parë, një mesazh në gjuhën angleze me përmbatjen e njëjtë të mesazhit në videon në gjuhën shqipe u bë viral në rrjetet sociale. Në mesazh thuhej se Laila Ahmadi nga Kina, Fakulteti i Shkencave mjekësore - Universiteti Zanjan, këshillon përdorimin e lartë të Vitaminës C kundër Koronavirusit. Sipas mesazhit një profesor me emrin Chen Horin, shprehet se “Copat e limonit në një gotë me ujë të ngrohtë mundet t’ju shpëtojnë jetën”.

1. Profesori Chen Horin në video-mesazhin në gjuhën shqipe na paraqitet si femër ndërsa në versionin anglisht i njejti person paraqitet si mashkull. Në fakt, profesori Chen Horin nga spitali Ushtarak i Pekinit është një personazh fiktiv. Mesazhi spekulon se ky person sugjeron që limoni ka veti antikancerogjene. Alt News Science ka zbuluar se imazhi i përdorur në postimin në Facebook është i një personi të vërtetë të quajtur  Frank Chen Youhua, një Profesor i Shkencave të Menaxhimit në Universitetin e Hong Kong-ut. Përndryshe, Universiteti Zanjan nuk ndodhet në Kinë por në Iran. Sa i përket versionit anglisht, edhe figura e Laila Ahmed është një personazh i rremë.

2. Viruset nuk mundet të krijohen nga bashkimi i gjeneve të dy kafshëve. Sa i përket origjinës së COVID-19, ka të ngjarë se u përhap nga lakuriqet e infektuar në një treg i kafshësh të egra në Vuhan të Kinës.

3. Vitamina C është një antioksidant i fuqishëm që mbron trupin kundër sfidave oksiduese. Një analizë e recesionuar (Carr & Maggini, 2017) thotë se për parandalimin profilaktik të infeksionit, trupi i njeriut kërkon një dozë të caktuar të nivelit të vitaminës C, dhe atë midis 100-200 mg / ditë. Sidoqoftë, një tjetër përmbledhje shkencore (Biancatelli, 2020) argumenton se ka prova të kufizuara klinike për të mbështetur përfundimisht këtë pretendim. Është me rëndësi të theksohet se qarkullimi i një mesazhi të tillë është i rrezikshëm ngase nxit njerëzit të konsumojnë doza më të larta se normalja të Vitaminës C dhe një gjë e tillë ka efekte anësore. Marrja e dozave të larta të Vitaminës C mund të shkaktojë gurë në veshka, nauze, të vjella, gjakderdhje okulte rektale, dekalcifikim dhëmbësh.

4. Pretendimi se limoni i nxehtë shëron kancerin është një varg i vjetër i dezinformatave që rishfaqet kohë pas kohe. Ky informacion i rremë është qartësuar  nga Africa Check në 2019, David Mikkelson në Snopes në 2011 dhe Brett M. Christensen në Hoax Slayer në 2018. Nuk ekziston asnjë kurë që quhet “kapje-qelizash”, kanceri është emër për më shumë sëmundje. Kanceri mund të lindë nga shumë shkaqe, duke përfshirë mutacione të gjeneve në mënyrë të rastësishme, mutacione të shkaktuara nga agjentë të jashtëm si rrezatimi dhe pirja e duhanit, infeksione të tilla si virusi i papagomës, etj. Nuk ka asnjë provë që Vitamina C ka ndonjë rol terapeutik në rregullimin e presionit të gjakut dhe koagulimit të gjakut.

Mesazhet virale në rrjetet sociale të cilat sugjerojnë se si të mbrohemi nga Koronavirusi por edhe sëmundje tjera, japin propozime të paprovuara dhe paverifikuara shkencërisht nga ekspertë të vetëshpallur. Mesazhet e tilla kanë prirjen për t'i larguar njerëzit nga kujdesi mjekësor, masat parandaluese dhe praktikat që në të vërtetë funksionojnë.

Copyright © Myth Buster.

A project by Democracy Lab

Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.