Çfarë duhet të mësojmë nga Zelanda e Re, vendi që ka regjistuar vetëm katër viktima nga Koronavirusi

Burimi: CNN

Link

Data: 15/04/2020

Читај

Zelanda e Re është një vend i vogël ishullor me më pak se 5 milion banorë. Vendi ka thuajse 1 muaj që është në izolim dhe synon jo vetëm ta parandalojë përhapjen e virusit COVID 19, por edhe eliminimin e tij. Në Zelandën e Re janë regjistruar 1 312 raste me COVID 19, nga të cilat janë regjistruar vetëm 4 viktima ndërsa 422 persona janë shëruar. (Të dhëna deri më 11 prill 2020, 14.30 h).

Izolimi i shpejtë dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve kanë rezultuar masat më të mira në reduktimin e përhapjes së Koronavirusit të ri dhe shpëtimin e qindra jetëve në vendin ishullor.

Përderisa në shtetet  tjera, pak shenja pozitive kanë mjaftuar që autoritetet të lirojnë paksa kufizimet, kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, deklaroi se do të vijojë me shtrëngimin e masave kufitare, që do të thotë se të gjithë ata që futen në këtë vend do të kalojnë 2 javë në karantinë, para se t'i kthehen normalitetit. Ky rregull vlen vetëm për qytetarët e Zelandës së Re pasi që të huajt janë ndaluar të hyjnë në këtë vend nga data 20 mars.

Është me rëndësi të theksohet se ndër avantazhet kryesore të Zelandës së Re në luftën kundër pandemisë ishin dy faktorë, dhe atë: gjeografia dhe moti. Zelanda e Re e konfirmoi rastin e parë më 28 shkurt dhe më 29 mars, vendi njofton për viktimën e parë nga Covid-19. Përderisa Zelanda e Re për 5 ditë me radhë shënon ulje të numrit të të prekurve nga COVID 19, më 10 prill regjistroi dhe viktimën e dytë. Mëngjesin e 11 prillit në Zelandë është regjistruar numër më i ulët i rasteve të reja dhe atë 29 raste, ndërkohë nga COVID 19 kanë humbur jetën edhe  dy persona. Autoritetet në Zelandën e Re thonë se në suksesin e tyre për të menaxhuar krizën me pandeminë ishte koha që patën për të mësuar nga eksperienca e Kinës. Nga ana tjetër fakti që ky ishull është shumë larg vendeve të tjera, bën që Zelanda e Re të jetë një hap para të tjerëve në këtë luftë.

Gjithsesi, mësimi që vendet e tjera duhet të marrin nga Zelanda e Re, është kombinimi i shkencës dhe menaxhimi i mirë. Deri tani, Zelanda e Re ka bërë 51,165 teste ose 11,548 teste në 1 milion banorë. Nëse marrim shembull vendet e rajonit tonë, ato as që i afrohen nivelit të menaxhimit të krizës sikurse në Zelandën e Re. Maqedonia e Veriut ka bërë gjithsej 6,571 teste ose 3,154 teste në 1 milion banorë, Bullgaria ka bërë 18,502 teste ose 2,663 teste në 1 milion banorë, Shqipëria gjithsej ka bërë 3,385 teste ose  1,176 teste në 1 milion banorë ndërsa Serbia në total ka bërë  14,240 teste ose 1,630 teste në 1 milion banorë. (Të dhënat deri më 11 prill, 14.00 h)

Një tjetër arsye se pse Zelanda e Re ia del aq mirë në luftën me pandeminë që ka pushuar të gjithë globin, është se në këtë vend numri më i madh i të prekurve nga COVID 19 janë relativisht të rinj. 25 % e të infektuarve janë të moshës nga 20 deri 29 vjeç ndërsa 15 % e rasteve të konfirmuara janë të moshës nga 30 deri 39 vjeç. Në të gjithë vendet e botës vërehet se numri i vdekjeve vazhdimisht rritet më shumë tek personat më të moshuar se sa tek pacientët e rinj. Arsyeja se pse në Zelandën e Re të rinjtë janë më të prekur lidhet me udhëtimet e tyre jashtë vendit. 40 % e rasteve me COVID 19 lidhen drejtpërdrejt me udhëtimet nëpër botë.

A do të arrijë Zelanda e re të mposht Koronavirusin?

Padyshim se ka arsye për të qenë optimistë se plani i Zelandës së Re po funksionon, por ekspertët thonë se është shumë herët për të festuar. Kryeministrja e vendit nuk ka në plan të heq masën e izolimit. „Nëse lëvizim herët do të bëjmë hapa prapa“- u shpreh për mediat Jacinda Ardern.

Nëse „dështon“ plani A, pra izolimi, Zelanda e Re ka një plan B. Plani B ka për qëllim të përgatisë sistemin shëndetsor që të mundet të përballojë sa më shumë persona të sëmurë rëndë.

Përshtati për MythBuster: Shefkije Alasani

Copyright © Myth Buster.

A project by Democracy Lab

Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.