I rrejshëm

Përdersa testonin rrjetin 5G, zogjtë binin nga qielli pa shenja jete- konfirmojnë qytetarët

cover image

Myth Buster: Shefkije Alasani

Post Link

Date: 17/04/2020

Читај

Miti

“Rrjeti 5G është shkaktar për ngordhjen masive të zogjve” ishte mesazhi që për pak dit u bë viral në rrjetet sociale. Shumë shpejt postimi u mor nga portalet online dhe pa u bazuar në asnjë burim kredibil mesazhi filloi të qarkullojë në formë të lajmit me titullin “Përderisa testonin rrjetin 5G, zogjtë binin nga qielli pa shenja jete- konfirmojnë qytetarët”. Lajmi përmban 3 fotografi që pretendohet të jenë shkrepur në Itali dhe një sërë pretendimesh tjera të pa konfirmuara:

1. Eksperimentet e rrjetit 5G janë shkak i ngordhjes masive të zogjve të cilët janë gjetur në një rrugë të Italisë

2. Lajmi për efektet negative tek zogjtë u publikuan në disa media të mëdha

3. Fotografia – Zogj të ngordhur në Itali

4. Fenomeni i ngordhjes masive të zogjve është lidhur me një ngjarje të ngjashme në Holandë    

I rrejshëm

Demistifikim

Që në hyrje të artikullit ka hapësirë për dyshim. Në asnjë moment nuk theksohet se për cilin qytet të Italisë bëhet fjalë, cila është ajo rrugë ku ka ndodhur ky fenomen i çuditshëm, cilat autoritete e kanë konfirmuar lajmin se po bëhet testim i rrjetit 5G, cilët ekspertë dhanë ekspertizën e ngordhjes së zogjve? Për këto shumë pyetje tjera të rëndësishme artikulli në fjalë nuk na jep asnjë përgjigje!

1. Eksperimentet për rrjetin 5G në Itali filluan në Mars të 2017 me çka u fillua edhe implementimi i infrastrukturës së nevojshme për shërbimin e 5G-së në 5 qytete italiane, dhe atë në: Milan, Prato, L’Aquila, Bari dhe Matera. Pretendimi në artikull pretendon se testimet janë bërë në fillim të muajt prill të vitit 2020 pa definuar se për cilin qytet bëhet fjalë. Pretendimi është i rrejshëm!

2. Më 4 shkurt në gazetën e njohur italiane La Repubblica është publikuar një lajm i cili flet për një stuhi të fuqishme si pasojë e së cilës janë rrëzuar drunjtë në rrugët e Romës, ndërsa arsyeja e ngordhjes së zogjve nuk dihet. Në fakt, fotografia që shihet në artikullin e gazetës La Repubblica nuk është e njëjta me fotografitë e shpërndara në rrjetet sociale të cilat pretendohet të jenë shkrepur në Itali. Pretendimi është i pakonfirmuar!

3. Republicworld ka konfirmuar se fotografia që qarkullon në rrjetet sociale dhe se pretendon se në Itali po ndodh ngordhje masive e zogjve në të vërtetë është një fotografi e realizuar në Holandë në vitin 2018. Deri tani nuk është dhënë ndonjë provë se ky fenomen kishte të bënte me rrjetin 5G. Pretendimi është i rrejshëm!

4. Artikulli mes tjerash pretendon se vendosja e një antene të re 5G në Holandë shkaktoi ngordhjen 297 zogjve në vitin 2018. Ky pretendim vëmendjen e kthen pas, më 5 nëntor të 2018-ës, kur në një blog konspiracionesh u botua një artikull me titullin: Qindra zogj të ngordhur si pasojë e eksperimentimit me rrjetin 5G në Hagë, Holandë”. Autoritet vendase konfirmuan ngordhjen misterioze të qindra zogjve, të cilët mund të ishin helmuar. Ndërkohë bënë të ditur se Holanda, sikurse shumë vende tjera, kishte testuar rrjetin 5G por përshtatje e gjerë e rrjetit nuk pritet të bëhet para vitit 2020. Më 28 qershor të 2018-ës ishte bërë një test i rrjet 5G në Hagë, por si pasojë gjatë asaj periudhe nuk pati asnjë ngordhje masive të zogjve. Pretendimi është i rrejshëm!

Vdekjet misterioze të shpendëve, edhe pse janë raste të mrekullueshme për ti etiketuar me teori konspirative, në fakt nuk janë fenomene të rralla. Në vitin 2011 në Arkansas, Luiziana dhe në disa pjesë të Suedisë brenda një kohe të shkurtër opinioni u njoftua për ngordhjen e mijëra shpendëve, këtë fenomen mediat e quajtën "aflockalypse". Të bazuar në ekspertë të fushës mediat bënë të qartë se këto humbje masive të shpendëve janë mjaft të zakonshme dhe shpesh të pashpjegueshme. Vetëm pak ditë më parë mijëra zogj të ngordhur ranë nga qielli në Greqi si pasojë e motit të ftohtë dhe erërave të fuqishme. Zogjtë shtegtar po ktheheshin nga Afrika në Evropë.

Vetëm në Facebook artikulli në fjalë ka pasur 8 413 interaksione prej të cilave 6 142 reagime e pëlqime dhe mbi 1 500 shpërndarje!

Përditësim: Pas publikimit në MythBuster.mk, artikulli u tërhoq nga webfaqja ku ishte postuar.

Copyright © Myth Buster.

A project by Democracy Lab

Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.