Çorientues

Çka e shkaktoi rënien nga qielli të mbi 120 zogjve në Zvicër? Spekulohet për antenat 5G (FOTO)

cover image

Myth Buster: Shefkije Alasani

Post Link

Date: 18/04/2020

Miti

Ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të qindra artikujve që spekulojnë se rrjeti 5G është shkaktar i ngordhjes masive të zogjve. Mes tyre qarkullon një artikull i cili ngordhjen e 120 zogjve në fund të muajit Shkurt në Zvicër, pa asnjë fakt konkret, e ndërlidh me rrjetin 5G. Artikulli është çorientues për lexuesin dhe bie në kundërshtim me vet supozimet që i përmend brenda tekstit.

Çorientues

Demistifikim

Më 29 prill të këtij viti është raportuar se 120 zogj janë gjetur të ngordhur në Thurgau të Zvicrës. Ditëve të fundit ky lajm po qarkullon në portalet informative në gjuhën shqipe të cilat duke u bazuar në komentuesit në rrjetet sociale, spekulojnë se rrjeti 5G është shkak i ngordhjes së zogjve. Lajmi ka karakter çorientues!

Në njërin nga paragrafët thuhet se ekspertët i përmbahen konstatimit se 5G është shkaktar për ngordhjen e zogjve ndërsa pak më poshtë në artikull thuhet se: Studimet në Universitetin e Bernit kanë treguar se zogjtë kishin një frakturë të kafkës dhe gjakderdhje nga mushkëritë. Livio Rey nga Stacioni Ornitologjik Sempach shpjegon: “Këto dëmtime zakonisht ndodhin kur zogjtë kanë një përplasje”. Për të dhe ekspertët e tjerë të shpendëve, mund të ketë ndodhur një përplasje me një automjet ose një ndërtesë dhe kjo konsiderohet si shkak real i mundshëm për ngordhjen e tyre.

Në artikull si fakt përmendet ngordhja e rreth zogjve në Hagë në vitin 2018 si pasojë e eksperimenteve me rrjetin 5G (këtë mit më herët e ka qartësuar Mythbuster). Ndërkohë në po të njëjtin paragrafë autori i artikullit në fjalë kundërshton supozimin e tij duke theksuar se: Sidoqoftë, doli që zogjtë vdiqën pasi hanin manaferra që nuk duhej ti hanin.

Përderisa në fillim të artikullit supozohet se rrjeti 5G është shkaktar për ngordhjen masive të zogjve, artikulli përfundon duke konstatuar se: Edhe ekspertët e mbrojtjes nga rrezatimi nuk besojnë se 5G është fatale. Rrezatimi është i padëmshëm dhe është zhytur në sipërfaqen e trupit, tha Martin Röösli, një epidemiolog mjedisor në Universitetin e Bazelit, për Die Zeit.

Vetëm në njërin nga portalet që është publikuar ky lajm, artikulli ka pasur 540 interaksione në  Facebook nga të cilat rreth 100 janë shpërndarje.

Copyright © Myth Buster.

A project by Democracy Lab

Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.