I rrejshëm

Qëllimi u Zbulua? Nuk ka kthim të lirisë së lëvizjes pa mos ju shenjëzuar me vaksinë të mikroçiposur

cover image

Myth Buster: MythBuster

Post Link

Date: 12/04/2020

Читај

Miti

Artikulli  ‘’Qëllimi u Zbulua? Nuk ka kthim të lirisë së lëvizjes pa mos ju shenjëzuar me vaksinë të mikroçiposur’’  i publikuar në kolozeg.info është i mbushur me teori konspirative rreth pandemisë ‘’Covid19’’, Bill Gates dhe kërkimeve të fundit shkencore rreth vaksinimit si dhe përpjekjeve globale për mbledhjen dhe ruajtjen në një platformë të centralizuar të dhënat mjekësore në vendet e varfra ku një gjë e tillë nuk është e mundur. Sipas platformës CrowTangle, artikulli ka pasur në total mbi 3880 interaksione në Facebook, prej të cilave mbi 630 shpërndarje në faqe dhe profile të ndryshme, rreth 2800 pëlqime dhe rreth 1000 komente. (deri më 11.04.2020)

Artikulli origjinal është i shkruar nga Robert Brixh (Robert Bridge) për Fondacionin për Kulturë Strategjike (Strategic Culture foundation). Autori është kolumnist dhe analist për Russia Today, platformë shtetërore mediatike ruse e cila njihet për propagandën dhe plasimin e dezinformatave që kanë për qëllim avancimin e interesave strategjike të Vladimir Putinit. Ai gjithashtu ka qenë Kryeredaktor i The Moskow News (2007-2009) media shtetërore e cila së bashku me kompaninë nënë  RIA Novosti, më 9 Dhjetor 2013 me urdhër të Putinit u shkrinë për krijuar Agjensinë ndërkombëtare të lajmeve Russia Today. Ndërkohë Strategic Culture Foundation është burim i dyshimtë i cili promovon qëndrime të ekstremit të djathë, propagandë ruse dhe teori konspirative dhe udhëhiqet nga Yuri Prokofiev – një ish udhëheqës i Partisë Komuniste dhe një nga liderët e tentimit për Grusht Shteti kundër Mikhail Gorbachev në Gusht të 1991.

I rrejshëm

Demistifikim dhe qartësim

Ndërkohë që artikulli është i mbushur përplot teori konspirative të cilat qarkullojnë në rrjetet sociale ne po demistifikojmë ato më kryesoret:

Pretendimi i parë: Bill Gejts deklaroi se ‘’tubimet masive’’, liria e lëvizjes, ekonomia dhe e drejta për punë dhe buk, dhe në përgjithësi jeta juaj normale paraprake nuk mund të kthehen pa vaksinim global nga Microsoft së pari për pasurim të mëtejmë të tyre, dhe së dyti dhe më e tmerrshmja, për kontrollë  dhe zombimin të njerëzimit në një kope idiote të robërve të Nano-çipuar (të shenjëzuar).

Demistifikim dhe qartësim: ‘’Autori’’ i artikullit e sjellë këtë përfundim duke manipuluar me një shkëputje nga intervista e dhënë e Bill Gates për CNBC (intervista e plotë) ku mes tjerash Gates flet për vështirësitë ekonomike dhe kthimin gradual që duhet të ndodh pas përfundimit të pandemisë. Gates në asnjë moment nuk thotë ‘’vaksinim nga Microsoft’’ dhe jo më pretendimet qesharake dhe ofenduese për inteligjencën e një njeriu normal, në ndërkohë që shpjegon përpjekjet që fondacioni Bill dhe Melinda Gates ndërmerr për të ndihmuar në tejkalimin e krizës pandemike - mes tjerash për zbulimin e terapisë për shërimin nga sëmundja, rritjen dhe përsosjen e testimit masiv si masë efektive për parandalimin e përhapjes së infektimit dhe financimin filantrop paralelisht të disa hulumtimeve për shpikjen e një vaksine parandaluese. Kundërvënia ndaj vaksinave, në përgjithësi nga një grup i vogël por shumë i zhurmshëm i njohur si anti-vaxxers, janë bërë burim i shumë dezinformatave, përhapjes së teorive konspirative dhe lajmeve të rrejshme duke vënë në rrezik shëndetin publik dhe rikthimin e sëmundjeve të cilat ishin në prag të zhdukjes ose ishin zhdukur. Pretendimi është manipulativ duke keqinterpretuar pjesë të intervistës me qëllim të përhapjes së panikut, teorive konspirative dhe lajmeve të rrejshme.

Pretendimi I dytë: Autori Robert Brixh përmes Fondacionit për kulturë strategjike, shkruan se në mesin e ‘’teoricienëve konspirativ’’ temë e nxehtë është se elita mezi pret që ta shfrytëzojnë momentin e vërtetë që ta përdorin teknologjinë e tyre ‘’ligji i bishës’’ që nga larg ta indetifikojnë dhe kontrollojnë çdo qenie njerëzore në planet, me çka do ti vulosin planet e tyre për një qeveri botërore dhe robërimin e gjithë botës nga ana e një dore satanistësh. Dhe kur shumë njerëz mundohen të bëjnë diçka që të kthejnë një ndjenjë normaliteti, ato shqetësime duken më të arsyeshme pas çdo dite të kaluar.

Demistifikim dhe qartësim: Pretendimi është spekulativ, hamendje e bazuar mbi teori konspirative dhe i pabazuar në fakte konkrete, argumente të qëndrueshme apo logjikë të shëndoshë. Madje është qesharak për imagjinatën e përdorur.  Ashtu siç shpjeguam më lartë, Fondacioni për kulturë strategjike është instrument për përhapjen e teorive konspirative, propagandës ruse dhe ka për qëllim mashtrimin e lexuesve duke nxitur panik, pasiguri dhe mosbesim në mes të qytetarëve. Ja një shembull të dezinformimit i shpjeguar nga Politico

Pretendimi I tretë:  Për çdokënd që ndoshta pyetet se si mundet të duket një nga ato zgjidhjet më të suksesshme, shikojeni kandidatin kryesor për kryerjen e kësaj detyre. Hulumtuesit e Institutit për Teknologji Masaçusets (Massachusetts Institute of Technology - MIT) zhvilluan atë që në thelb është një tatuazh high-tech që i ruan të dhënat në një ngjyrë të padukshme nën lëkurë. Shenjëzimi  do të vendoset së bashku me vaksinën, me siguri i zbatuar nga Gavi, Agjencioni global i vaksinave, i cili gjithashtu është nën ombrellën e Fondacionit Bill dhe Melinda Getjs.

Demistifikim dhe qartësim:

- Siç shpjegohet nga MIT ky hulumtim është një përpjekje për të gjetur zgjidhje për ruajtjen e të dhënave mjekësore rreth vaksinimit në vendet në të cila nuk ekziston infrastruktura e duhur për ta bërë një gjë të tillë. Sipas MIT, kryesisht në vendet në zhvillim si pasojë e mosvaksinimit çdo vit vdesin 1.5 milion fëmijë nga sëmundje të cilat mund të parandalohen. Përmes kësaj përpjekje shihen mundësitë që kjo pengesë të tejkalohet përmes injektimit të ‘’pikave quantike’’ të cilat janë të padukshme dhe do të qëndrojnë nën lëkurë së paku 5 vjet. Përmes paisjeve të aplikacioneve të veçanta do të mund të identifikohen vaksinat të cilat personi i ka pranuar dhe me këtë të evitohet problemi i humbjes apo mospasjes kartonë të vaksinave të pranuara, rrjedhimisht të shpëtohen jetët e fëmijëve nga sëmundje të cilat mund të parandalohen përmes vaksinimit.

- Ndërkohë që GAVI – Aleanca për vaksinim (dhe jo Agjencioni për vaksinim siç pretendon artikulli) është partneritet mes Organizatës Botërore të Shëndetësisë, UNICEF, Bankës Botërore dhe Fondacionit Bill dhe Melinda Gates, që në total mundësojnë vaksinimin e pothuajse gjysmës së fëmijëve në botë kundër sëmundjeve të rrezikshme dhe vdekjeprurëse. Përmes këtij partneriteti është mundësuar që çmimi i vaksinave të ulet duke ofruar prodhim të parashikueshëm dhe të qëndrueshëm të vaksinave me çka është mundësuar që edhe shtetet më të varfra të kenë qasje në përmirësimin e shëndetësisë primare. Deri më tani GAVI ka kontribuar në shmangien e pothuajse 13 milion vdekjeve dhe ka ulur në mënyrë drastike përhapjen e sëmundjeve infektuese. Për më tepër të dhëna për punën e tyre të shkëlqyer vizitoni GAVI – Aleanca për vaksinim.

Copyright © Myth Buster.

A project by Democracy Lab

Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.