Mediat Pro-Kremlin shtrembërojnë faktet mbi ndihmën ruse për zbutjen e COVID-19 në Evropë

Burimi: DFRLab

Link

Data: 22/05/2020

Читај

Pasi Rusia dërgoi furnizime në Evropë, mediat pro-Kremlin bënë pretendime të rreme në lidhje me reagimin e BE-së dhe NATO-s

Pas dërgesave të ndihmës COVID-19 të Kremlinit për vendet evropiane, mediat pro-Kremlin në mënyrë të përsëritur dhe të rreme pretendonin se vendet e larta të NATO-s kishin ndaluar Bashkimin Evropian dhe anëtarët e tjerë të NATO-s që të pranonin ndihmën ruse.

Dërgesat fillestare të ndihmës së Kremlinit në Itali dhe dërgesat pasuese në të gjithë Perëndimin, përfshirë ato në Shtetet e Bashkuara, të gjitha kanë vulat e një publiciteti të vonuar. Mediat Pro-Kremlin e kanë portretizuar Rusinë si një lojtar dashamirës në skenën botërore që vazhdimisht është e gatshme të zgjasë një dorë ndihmëse për kundërshtarët e saj në mes të një krize globale të shëndetit publik. Por, ndërsa Kremlini ka qenë i etur për të shfaqur dërgesat e furnizimeve mjekësore si ndihmë humanitare, burime të ndryshme - përfshirë analizën e mëparshme nga DFRLab - kanë raportuar se "ndihma" vjen me qëllime tjera të bashkangjitura.

Tregimet qarkulluan kryesisht në Rusisht dhe Anglisht në vende të ndryshme; DFRLab identifikoi tre narrativat kryesore të përqendruara në dërgesat e ndihmës së Rusisë në Evropë.

Pretendimi i parë: Vendet e fuqishme të "Vëllait të Madh" kanë ndaluar anëtarët e BE-së dhe NATO-s nga pranimi i ndihmës ruse

Një nga narrativat më të frytshme pretendoi se një grup vendesh të fuqishme të NATO-s - të quajtur "Vëllezërit e Mëdhenj" - kanë ndaluar një numër vendesh më pak të fuqishme evropiane, përfshirë anëtarët e tjerë të NATO-s, të kërkojnë ndihmë për Koronavirus nga Rusia.

Ky pretendim u shpreh nga Ministri Rus i Punëve të Jashtme Sergei Lavrov dhe u raportua shpejt në shumë artikuj mediatik dhe në postime të mediave sociale. Ndërsa qarkullonte kryesisht në Rusisht dhe Anglisht, ai gjithashtu u shfaq në mediat pro-Kremlin nga një larmi vendesh të ndryshme, duke treguar që ai kishte një audiencë të synuar përtej Rusisë. Cilat shtete formojnë grupin elitar “Vëllezërit e Mëdhenj” nuk u përmendën, por ka të ngjarë të përfshijë kundërshtarët kryesorë të Rusisë, siç janë Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.

Pretendimi i dytë: Ndihma nga Rusia dhe Kina varrosën "ëndrrën evropiane për Serbinë"

Një tjetër pretendim i spikatur supozoi se pranimi i ndihmës nga Rusia dhe Kina do të pengojë bashkangjitjen e Serbisë me Bashkimin Evropian.

Sipas tregimit, publiku serb është i ndarë historikisht në qytetarë pro-perëndimorë dhe pro-rusë. Gatishmëria e Rusisë për të shtrirë një dorë ndihmëse, me sa duket, po shndërron më shumë serbë në "Rusofilë". Siç është raportuar më parë nga DFRLab, historia pretendon rrejshëm se në fillim të pandemisë, qeveria serbe i kërkoi BE-së përkrahje por nuk morën asnjë ndihmë humanitare. Në vend të kësaj, historia pretendon se Rusia erdhi në ndihmë të Serbisë, duke u demonstruar si aleatë të vërtetë në një kohë krize.

Pretendimi i tretë: Spanja refuzoi ndihmën e NATO-s

Së fundmi, një numër i mediave pro-Kremlin kthyen vëmendjen e tyre drejt Spanjës, duke pretenduar se qeveria spanjolle kishte refuzuar ndihmën e koronavirusit të NATO-s.

Historia u bazua në raportime të verifikuara që Spanja kishte tërhequr kërkesën për ndihmë të koronavirusit nga vendet e NATO-s që e kishte paraqitur në mars. Mediat pro-Kremlin e paraqirën tërheqjen në një mënyrë çorientuese, duke krijuar përshtypjen se Spanja kishte refuzuar në mënyrë të qartë ndihmën e ofruar nga NATO. Në fakt, pasi morën pajisje mbrojtëse personale (PMP), Lituania, Estonia, Turqia, Polonia, Republika Çeke, Luksemburgu, Gjermania dhe Spanja kishin njoftuar të gjithë se maja e pandemisë kishte kaluar dhe prandaj kishin tërhequr kërkesat e tyre për ndihmë në përputhje me rrethanat.

Lukas Andriukaitis është Drejtor i Asociuar në Laboratorin Hulumtues Digjital Ligjor;

Ndiqni më tej për analiza më të thelluara nga #DigitalSherlocks.

Përktheu dhe Përshtati: Elton Jashari

Copyright © Myth Buster.

A project by Democracy Lab

Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.