Remdesivir: Ilaçi që ka fuqi “të qartë” për të luftuar koronavirusin

Burimi: BBC

Link

Data: 30/04/2020

Читај

Ekzistojnë prova "të qarta" që një ilaç mund t'i ndihmojë njerëzit të shërohen nga koronavirusi, thonë zyrtarët amerikanë.

Nga James Gallagher - Korrespodent i Shëndetit dhe Shkencës 

29 Prill 2020

Remdesivir shkurtoi kohëzgjatjen e simptomave nga 15 ditë në 11 në një provë klinike në spitalet në të gjithë botën.

Detajet e plota nuk janë publikuar, por ekspertët thanë se do të ishte një "rezultat fantastik" nëse konfirmohet, por jo një "plumb magjik" për sëmundjen.

Një ilaç do të ketë potencialin për të shpëtuar jetë, të lehtësojë presionin në spitale dhe të lejojë zbutjen e masave të izolimit.

Remdesivir fillimisht u zhvillua si një trajtim për Ebola. Është një antiviral dhe funksionon duke sulmuar një enzimë që i duhet një virusi në mënyrë që të replikohet brenda qelizave tona.

Prova u drejtua nga Instituti Kombëtar i Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive i ShBA (NIAID) dhe në të morën pjesë 1.063 njerëz. Disa pacientë u dha ilaçi, ndërsa të tjerët morën një trajtim me imitues (placebo).

Dr. Anthony Fauci i cili drejton NIAID tha: "Të dhënat tregojnë se Remdesivir ka një efekt të qartë, domethënës, dhe pozitiv në zvogëlimin e kohës për shërim."

Ai tha se rezultatet vërtetojnë se "një ilaç mund ta bllokojë këtë virus" dhe se "po hapnin derën për faktin se ne tani kemi aftësinë për të trajtuar" pacientët.

Ndikimi në vdekje nuk është aq i prerë. Shkalla e vdekshmërisë ishte 8% te njerëzit që u kishin dhënë Remdesivir dhe 11.6% në ata që u kishin dhënë një imitues (placebo), por ky rezultat nuk ishte statistikisht i rëndësishëm, që domethënë se shkencëtarët nuk mund të tregojnë nëse dallimi është i vërtetë.

Gjithashtu nuk është e qartë se kush po përfiton. A po lejon njerëzit që do të ishin shëruar gjithsesi, ta bëjnë këtë më shpejt? Apo po i parandalon njerëzit që të kenë nevojë për trajtim në kujdesin intensiv? A funksiononte ilaçi më mirë tek të rinjtë apo të moshuarit? Apo tek ata me ose pa sëmundje të tjera? A duhet që pacientët të trajtohen herët ose kur virusi mendohet të arrijë kulmin në trup?

Këto do të jenë pyetje të rëndësishme kur të botohen përfundimisht detajet e plota, pasi ilaçi mund të ketë përfitimin e dyfishtë,  për të shpëtuar jetë dhe për të ndihmuar në heqjen e izolimit.

Profesori Mahesh Parmar, drejtori i Njësisë së Provave Klinike të MRC në UCL, i cili ka mbikëqyrur provën në BE, tha: "Para se ky ilaç të vihet në dispozicion më të gjerë, duhet të ndodhin një numër gjërash: të dhënat dhe rezultatet duhet të rishikohen nga rregullatorët për të vlerësuar nëse ilaçi mund të licencohet dhe atëherë ata kanë nevojë për vlerësim nga autoritetet shëndetësore përkatëse në vende të ndryshme.

"Derisa kjo po ndodh ne do të marrim të dhëna më afatgjate nga kjo provë dhe prova të tjera nëse ilaçi gjithashtu parandalon vdekjen nga Covid-19".

Nëse një ilaç mund të ndalojë që njerëzit të kenë nevojë për kujdes intensiv, atëherë rreziku që spitalet të mbingarkohen është më i vogël, dhe do të ketë më pak nevojë për distancim social.

Profesori Peter Horby, nga Universiteti i Oksfordit, po zhvillon provën më të madhe në botë për ilaçet e Covid-19. Ai tha: "Ne duhet të shohim rezultatet e plota, por nëse konfirmohet, kjo do të ishte një rezultat fantastik dhe një lajm i shkëlqyeshëm për luftën kundër Covid-19.

"Hapat e ardhshëm do të nxjerrin të dhënat e plota që të punohet për qasje të barabartë në Remdesivir."

Të dhënat e SHBA-ve për Remdesivir kanë dalë në të njëjtën kohë kur një provë e të njëjtit ilaç në Kinë, raportuar në revistën mjekësore Lancet, tregoi se ishte joefikas.

Sidoqoftë, ajo provë ishte e paplotë sepse suksesi i izolimit në Wuhan do të thoshte që mjekët mbetën pa pacientë.

"Këto të dhëna janë premtuese, dhe duke pasur parasysh që nuk kemi ende trajtime të provuara për Covid, kjo mund të çojë në miratimin e shpejtë të Remdesivir për trajtimin e Covid", tha Profesori Babak Javid, këshilltar për sëmundje infektive në Spitalet Universitare të Kembrixhit.

"Sidoqoftë, gjithashtu tregon se Remdesivir nuk është një plumb magjik në këtë kontekst: përfitimi i përgjithshëm i mbijetesës ishte 30%".

Ilaçet e tjera që po hetohen për Covid-19 përfshijnë ato për malarinë dhe HIV të cilat mund të sulmojnë virusin, si dhe komponime që mund të qetësojnë sistemin imunitar.

Supozohet se antiviruset mund të jenë më efektivë në fazat e hershme, ndërsa ilaçet imunitare në fazat më të vonshme të sëmundjes.

Përktheu dhe përshtati: Elton Jashari

Copyright © Myth Buster.

A project by Democracy Lab

Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.