Burimi: The Guardian
LinkData: 03/05/2020
Njerëzit vazhdimisht thonë: gjithçka ka ndryshuar.
Përderisa të gjithë ne po kalojmë ditë të turbullta të mbyllur në shtëpi, në botën e jashtme po ndodhin ndryshime të mëdha të ndërgjegjes.
Ashtu siç ishte e paimagjinueshme që gjërat mund të ktheheshin në normale pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA, pra është kjo linjë veprimi, investimet dhe imagjinatat tona kolektive gjatë viteve në vijim do të jenë nën hijen e një virusi që iu deshën më pak se 100 ditë për të mbyllur botën.
Këto muaj të çuditshëm, mund të jenë të parat e një epoke ndërgjegjësimi për kërcënimin që paraqesin pandemitë. Është ende shumë herët për të thënë se si do të duket. Çdo ditë e re sjell goditje dhe mundësi, ndriçon pak më shumë realitetin tonë të ri. Këto pesë muaj do të studiohen për dekada të tëra nga epidemiologët, por edhe më gjatë nga historianët.
Tashmë mundet të shikojmë se kjo po merr formë. Po mësojmë se çfarë funksionon kundër COVID19. Dhe duke studiuar mbetjet e koronavirusit të tretë që bëhet pandemi gjatë këtij shekulli – së bashku me dy gripa kafshësh dhe disa valë të Ebolas- po shfaqen mësime se çfarë duhet të bëjnë shoqëritë për ti përballuar shpërthimet e pandemive në të ardhmen, për të cilat shkencëtarët na thonë janë të pashmangshme dhe në rritje.
Duhet të reagojmë më shpejt
Një studim i realizuar në mars nënvizoi rëndësinë e të vepruarit shpejt. Sikur Kina të kishte kryer më shumë testime dhe t’i kishte ndërmarrë masat e tjera një javë më herët, do të kishte zvogëluar me 66% rastet në Kinë, argumentuan studiuesit. Po të kishim vepruar tre javë më herët, do të kishte reduktuar rastet me 95% në gjithë botën.
Ne e dimë se çfarë funksionon për ta izoluar virusin…
U bënë muaj me këtë epidemi, dhe informacionet themelore rreth koronavirusit janë ende të paqarta. Sa infektues është? Sa vdekjeprurës? Drejtuesit po i marrin vendime për jetë a vdekje, bazuar në supozimet më të mira. “Ne jemi duke e fluturuar aeroplanin, teksa jemi duke e ndërtuar”, thotë Ashley Arabasadi, këshilltar politik në Institutin e Shkencave të Menaxhimit të Shëndetit me qendër në SHBA.
Pjesa më e vështirë është zbatimi i masave
Përhapja e koronavirusit e ka bërë të qartë se është një problem universal: madje edhe vendet që dinë se çfarë funksionon, dhe kanë aftësinë për të vepruar, sërish hezitojnë.
Disa vende me tradita të forta liberale, siç është Britania, filluan të kundërshtojnë frenimin e të drejtave civile në mënyrë drastike. Grupet e industrisë italiane raportohet të kenë rezistuar fuqimisht ndaj idesë së mbylljes së Lombardisë, një nga motorët e ekonomisë së vendit.
Vendeve në zhvillim si Pakistani u është dashur të ekuilibrojnë ngadalësimin e përhapjes së sëmundjes, me pasojat katastrofike të mbylljes së fermave dhe vendeve të ndërtimit, ku punojnë më të varfërit.
Liritë civile po përballen me provën më të madhe të gjeneratës
Sipas një studimi, më shumë se 40 vende kanë implementuar një formë mbikëqyrjeje ose censure në emër të luftimit të koronavirusit.
Këto mjete kanë krijuar një botë që mund të dukej diktatoriale disa muaj më parë.
Mbrojtësit e të drejtave të njeriut pranojnë se po jetojmë në një situatë emergjente, por shqetësohen se qeveritë do ta përdorin frikën e shpërthimeve të viruseve në të ardhmen, për të justifikuar mbajtjen në fuqi të shumë prej këtyre mjeteve – pavarësisht nëse ato ndihmojnë apo jo.
“Ne po përballemi me një sfidë të jashtëzakonshme,” thotë Akshaya Kumar, drejtori i avokimit të krizave në Human Rights Watch.
“Disa nga këto masa janë thjesht marrje pushteti pa një klauzolë të qartë dhe nuk duket sikur ata vërtet duan të luftojnë virusin”.
“Mundësia për abuzim është e lartë,” paralajmëroi OKB në një raport javën e kaluar. “Ajo që justifikohet gjatë një emergjence, mund të trajtohet si normale pasi të ketë kaluar kriza.''
Besimi publik është pasuria më e vlefshme e qeverisë. Muajt e ardhshëm do ta sforcojmë atë
Nuk ka asnjë precedent për gjysmën e popullsisë së botës që jeton nën një lloj bllokimi. Mund të jetë akti i vetëm më i madh kolektiv i ndërmarrë nga njerëzimi.
Ekzekutimi i tij i suksesshëm kërkon një besim të jashtëzakonshëm publik në qeveritë e tyre, thotë Lars Trägårdh, një historian suedez që studion besimin në institucione me kalimin e kohës. "Nëse besoni se qeveria po punon për të mirën tuaj, dhe ju besoni qytetarëve të tjerë që të ndjekin rregullat, ju keni përparësi të mëdha për veprim kolektiv," thotë ai.
Në vendet ku besimi në qeveri është i dobët, frika ka punuar për të pastruar rrugët. Në Afrikën e Jugut, policia përdori kamxhikët për të zbatuar një shtetrrethim kombëtar. Punëtorët migrantë indianë që shkonin për në shtëpi u detyruan të kërcenin dhe zvarriteshin si ndëshkim që ishin jashtë, ndërsa në Jordan, më shumë se 1.600 njerëz u burgosën në tre ditët e para të karantinës.
Gjatë muajve të ardhshëm, qeveritë do të lejojnë njerëzit të rifillojnë jetën e tyre mes kushteve më të këqija ekonomike që nga Depresioni i Madh. Nëse zbulohen valë të reja të virusit, shtetet mund të kërkojnë përsëri nga qytetarët e tyre që të kthehen në shtëpi.
Liderët të cilët mohojnë shkencën janë pengesë
Shumë liderë kanë shijuar atë që mund të jetë një rritje e përkohshme e popullaritetit ndërsa qytetarët e frikësuar tubohen rreth tyre në një krizë. Në përjashtim të presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut të tij brazilian, Jair Bolsonaro, vlerësimet e të cilëve kanë rënë ndjeshëm.
"Udhëheqës të tillë si Trump vendosin mesazhe të thjeshta: të brendshmit kundrejt të huajit, ne kundër tyre", thotë Sanjoy Chakravorty, një profesor në Universitetin Temple në SHBA. "Dhe ata kanë një krizë ideologjike se si të menaxhojnë mesazhin këtu. Kjo është një sferë shumë e komplikuar informacioni, të cilën ju nuk mund ta vendosni në kutitë "ne dhe ata" ... sepse në këtë rast të gjithë janë "ne". "
Vetë-mjaftueshmëria përsëri ka rëndësi…
Qeveritë nuk kanë për të harruar përleshjen e dëshpëruar globale për pajisjet mbrojtëse personale dhe furnizimet mjekësore gjatë muajve të kaluar. Shumë shtete kanë kufizuar eksportimin e disa produkteve farmaceutike dhe më shumë se një duzinë kanë vendosur ndalime në shitjen e disa ushqimeve jashtë vendit.
… Por bota nuk mund ta mposht virusin pa bashkëpunuar
Koronavirusi pati fat: u shfaq në një pikë të ulët për bashkëpunim global.
Vendet që e kaluan virusin Sars kuptuan se shkëmbimi i informacionit, koordinimi i përgjigjeve dhe burimeve të tilla si veshje mbrojtëse, ilaç dhe teste ishin jetike. Një grup i rregulloreve ndërkombëtare që hynë në fuqi në vitin 2007 hodhën themelet për këtë bashkëpunim. Ndërsa Covid-19 filloi të përhapet, rregulloret u injoruan praktikisht."Bota ishte e shpejtë për të hedhur tutje mekanizmat e qeverisjes globale, për të cilat kemi negociuar me aq kujdes", thot Katz. Ekspertët e shëndetit publik thonë se mungesa e bashkëpunimit global e dobësoi përgjigjen e botës kundër pandemisë.
Masat shtrënguese dhe pabarazia na bëjnë më pak qëndrueshëm
Asnjë ekonomi nuk mund t'i rezistojë tronditjes kur një pjese e madhe e fuqisë punëtore papritur të mos punojë. Problemet që ndërlidhen me sigurimet shëndetësore dhe me punësimin në SHBA janë bërë edhe më të dukshme: 26 milion amerikanët që kanë paraqitur përfitime gjatë muajit të kaluar, jo vetëm që humbën punën e tyre, shumë gjithashtu humbën mbulimin e tyre mjekësor.
Të varfrit dhe migrantët nuk mund të jenë të padukshëm
Përgjigja e Singaporit është vlerësuar si një model. Qeveria e saj lëvizi me shpejtësi, duke përdorur teknologjinë, komunikimin publik shembullor dhe mjetet tradicionale të kontrollit të shpërthimit për të kontrolluar valën e parë të infektimeve.
Por javën e kaluar, autoritetet vendase njoftuan se kishin zbuluar mijëra infeksione të reja, pothuajse të gjitha në mesin e punëtorëve migrantë që jetonin në konvikte dhe në prona industriale në periferi të qytetit. Grupet e të drejtave të njeriut thonë se u është kushtuar pak vëmendje më shumë se 1 milion punëtorëve migrantë.
Copyright © Myth Buster.
A project by Democracy Lab
Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.