Shpesh për arsye financiare por jo vetëm, faqe në facebook të administruara nga kosovarët kanë përdorur përmbajtje të ndryshme jo autentike, dhe herë pas here inflamatore, për të “futur në kurth” amerikanët që të bëhen pjesë e faqeve të tyre apo lojërave shpërblyese të jashtëligjshme. Sipas hulumtimit të realizuar nga Snope, banorë dhe emigrantë nga Kosova, kanë hapur faqe në facebook dhe kanë shpërndarë përmbajtje pro-policore dhe pro-ushtarake, si dhe meme nostalgjike dhe dhurata të jashtëligjshme. Sipas Snope, këto faqe madje figurojnë që nga viti 2014 dhe kanë arritur mbi dy milion ndjekës, shumica prej tyre amerikanë.
Në fillim të vitit 2020 faqe në facebook të administruara nga kosovarë, kanë përdorur frikën ndaj virusit Covid 19 për të zhvilluar lojëra shpërblyese të jashtëligjshme. Ata ofronin “gjëra ushqimore falas”, madje edhe “shtëpi falas”. Disa të tjerë që kanë përdorur përmbajtje pro-policore, kanë shfrytëzuar madje të dhëna personale të një personi nga Misisipi, pa lejen e tij, për të krijuar një profil në facebook që ta bëjnë më të besueshme burimin e postimeve në faqe të caktuara.
Për të rritur shikueshmërinë dhe vizitat në faqe, një rrjet i administratorëve kosovarë, që kanë udhëhequr faqe me mbi 600.000 ndjekës kanë publikuar lojëra shpërblyese ku njerëzit mund të fitonin produkte ushqimore falas, madje edhe shtëpi falas nëse komentonin “Me” dhe shpërndanin lojën shpërblyese në profilin e tyre. Një praktikë e tillë kohëve të fundit haset shpesh nëpër rrjetet sociale, me qëllim rritjen e ndjekësve.
Lojëra të tilla shpërblyese u rikthyen sidomos gjatë kohës së pandemisë së virusit korona, ku sërish këto faqe ofronin produkte ushqimore dhe shtëpi falas. Për dy ditë, faqja “The Power of Prayer”, që ishte faqja origjinale që shpërndau lojën, arriti 70.000 ndjekës, edhe pse postimi i lojës shpërblyese u fshi pak kohës pas shpërndarjes. Në këtë lojë shpërblyese, sipas hulumtimit të Snopes, kanë qenë të përfshira 51 faqe facebooku. Sipas kësaj, mund të konstatojmë që këto faqe tanimë kontrollohen nga një rrjet më i madh administratorësh për qëllime përfitimi.
Asnjë fitues nuk është shpallur nga këto faqe, gjithmonë me arsyetimet se fituesi ka qenë nën 18 vjeç ose se është vonuar për ta tërhequr dhuratën. Në rastet kur është shpallur ndonjë fitues, ka qenë me fotografi të rreme dhe profile të rreme. Por si përfitojnë administratorët e këtyre faqeve?
Kur njerëzit komentonin “Me” në komentet, automatikisht ju dërgohej një link “për ta tërhequr dhuratën”. Faqja që hapej nëse klikonin në link kërkonte që të regjistroheshin me të dhënat e tyre, për tu kërkuar më pas edhe të dhënat e kartës së kreditit. Faqja që hapej ishte një faqe filmash e regjistruar në Qipro që titullohej “Majerstars.com”. Ndonëse premtonte regjistrim falas, faqja nuk ofron filma por të drejton drejt një tjetër linku ku mund të gjesh lojëra që kërkojnë instalim të një sistemi të caktuar pa të cilin nuk mund të regjistrohen. Pas disa ditësh faqja “Majerstars.com”, të ngarkon me pagesë $34.95 dollarë në muaj.
Këto faqe përfitojnë përqindje të caktuar duke i drejtuar ndjekësit nga një faqe në tjetrën. Meqë këto lojëra shpërblyese kanë thyer rregullat e përdorimit të facebook si: “praktika mashtruese të biznesit”, “para dhe të dhëna personale”, shumica e tyre janë mbyllur nga facebook pas raportimit të Snopes.
Një tjetër mënyrë për të përfituar që administratorët kosovarë kanë shfrytëzuar janë faqe me përmbajte pro-policore dhe pro-ushtarake. Sipas hulumtimit të Snopes, nga gjithsej tre administratorë të faqes “Support Law Enforcement”, dy janë kosovarë që jetojnë në Gjermani, Adem Potoku dhe Igi Potoku, kurse i treti është një profil i rremë i krijuar me të dhëna reale, Jacob Smith. Snope ka kontaktuar me personin fotografia e të cilit është shfrytëzuar për këtë profil, emri real i të cilit është James Foster. Personi në fjalë nuk ka pasur njohuri që të dhënat e tij shfrytëzohen për një profil të tillë.
Krijimi i profileve të rreme me të dhëna të njerëzve real është praktikë për t’i bërë më të besueshme faqet që Potok-ët administrojnë. Sipas hulumtimit të Snopes, ata janë të shpërndarë nëpër Evropë dhe praktikojnë “mashtrimet” nëpërmjet faqeve të tilla nga vende të ndryshme të Evropës. Kadir Potoku, është gjithashtu një emër që Snopes ka vërtetuar se është i përfshirë dhe ka lidhshmëri me Adem Potokun dhe Igi Potokun, meqë kanë pëlqyer fotot e njëri tjetrit në facebook.
Një tjetër person që është i lidhur me Adem Potokun dhe Igi Potokun është Ibra Pervetica, që ndonëse poston përmbajtje që kanë të bëjnë me Amerikën, ai nuk është larguar kurrë nga Kosova. Ai për Snopes tregon se e bën këtë për përfitime personale, pasi faqet që ai administron drejtojnë te një tjetër faqe ku ai shet bluza, pantallona me mbishkrime pro-policore. Pervetica thotë se shkaku i papunësisë së lartë në Kosovë shumë të tjerë hapin faqe në facebook, gjejnë mënyra për të rritur ndjekësit dhe më pas i shesin. Ai vetë ka shitur faqe me 52.000 ndjekës dhe 26.000 ndjekës për 200 dollarë secilën.
Komentet e amerikanëve dëshmojnë se ata kanë rënë në “kurthin” e faqeve të administruara nga kosovarët. “Jam duke i rritur nipërit vetëm, burri im ndërroi jetë një vit më parë dhe jam duke bërë gjithçka vetëm…kam shumë nevojë për këtë”, ka shkruar një grua. Një tjetër burrë që kishte qenë i papunë pas një aksidenti shkruan se është i habitur nga zemërgjerësia dhe altruizmi i atyre që po dhurojnë një shtëpi falas.
Disa nga faqet janë mbyllur nga facebook pasi kanë thyer rregullat e të njëjtit, dhe të tjera janë mbyllur gjatë kohës që Snopes ka kryer hulumtimin. Në rastet e lojërave shpërblyese, ky rrjet i administratorëve ka rrezikuar financiarisht amerikanët që kanë ra pre e kërkesës për të dhënë të dhënat e kartës së kreditit, për të tërhequr shpërblimin.
Përshtati: Rita Behadini
Copyright © Myth Buster.
A project by Democracy Lab
Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.