Pekini forcon kontrollin mbi hulumtimin e koronavirusit, në mes të grindjeve SHBA - Kinë mbi origjinën e virusit

Burimi: CNN

Link

Data: 13/04/2020

Читај

Nga Nectar Gan, Caitlin Hu dhe Ivan Watson, CNN

Përditësuar më 13 prill 2020

 

Hong Kong (CNN) - Kina ka vendosur kufizime në publikimin e hulumtimeve akademike mbi origjinën e koronavirusit të ri, sipas një direktive të qeverisë qendrore dhe njoftimeve në internet të publikuara nga dy universitete kineze, të cilat më vonë u larguan nga rrjeti.

Sipas politikës së re, të gjitha punimet akademike mbi COVID-19 do t'i nënshtrohen verifikimit shtesë përpara se të paraqiten për botim. Studimet mbi origjinën e virusit do të marrin një kontroll shtesë dhe duhet të miratohen nga zyrtarët e qeverisë qendrore, sipas postimeve tani më të fshira.

Një ekspert mjekësor në Hong Kong i cili bashkëpunoi me studiues të pjesës kontinentale të Kinës për të botuar një analizë të rasteve klinike të COVID-19 në një revistë ndërkombëtare mjekësore tha që puna e tij nuk iu nënshtrua një kontrolli të tillë në muajin shkurt.

Shqyrtimi dhe hetimi i shtuar duket se është përpjekja e fundit e qeverisë kineze për të kontrolluar narracionin mbi origjinën e pandemisë koronavirus, e cila ka marrë më shumë se 100,000 jetë dhe ka sëmurë 1.7 milion njerëz në të gjithë botën që kur shpërtheu për herë të parë në qytetin kinez Vuhan në Dhjetor.

Që nga fundi i janarit, studiuesit kinezë kanë botuar një seri studimesh mbi COVID-19 në revista mjekësore me ndikim ndërkombëtar. Disa gjetje në lidhje me rastet e hershme të koronavirusit - siç është rasti kur për herë të parë u shfaq tranzicioni njeri në njeri - kanë ngritur pyetje mbi llogaridhënien zyrtare të qeverisë për shpërthimin dhe ngjallën polemika në mediat sociale kineze.

Dhe tani, autoritetet kineze duket se po forcojnë kontrollin e tyre për botimin e hulumtimit mbi COVID-19.

Një studiues kinez që foli në kushte anonimiteti për shkak të frikës së hakmarrjes tha që masa ishte një zhvillim shqetësues që mund të pengojë kërkimet e rëndësishme shkencore.

"Unë mendoj se është një përpjekje e koordinuar nga qeveria kineze për të kontrolluar narrativën, dhe ta paraqes sikur shpërthimi nuk ka origjinën në Kinë," tha studiuesi për CNN. "Dhe unë nuk mendoj se ata me të vërtetë do të tolerojnë ndonjë studim objektiv për të hetuar origjinën e kësaj sëmundjeje."

CNN i është drejtuar Ministrisë së Jashtme të Kinës për koment.

 

Shqyrtime dhe vështrime hetuese të shtuara

Sipas direktivës së lëshuar nga departamenti i shkencës dhe teknologjisë së Ministrisë së Arsimit, "punimet akademike për gjurmimin e origjinës së virusit duhet të menaxhohen rreptësisht dhe në mënyrë strikte".

Direktiva përcakton shtresa miratimi për këto punime, duke filluar nga komitetet akademike në universitete. Atëherë kërkohet që ato të dërgohen në departamentin e shkencës dhe teknologjisë së Ministrisë së Arsimit, i cili më pas i dërgon dokumentet në një grup pune nën Këshillin e Shtetit për verifikim (vetting). Vetëm pasi universitetet marrin përgjigje kthyese nga grupi i punës, punimet mund të dorëzohen në revista.

Punimet e tjera për COVID-19 do të verifikohen nga komitetet akademike të universiteteve, bazuar në kushte të tilla si "vlera akademike" e studimit, dhe nëse "koha e botimit" është e drejtë.

Direktiva bazohet në udhëzimet e lëshuara gjatë një takimi të 25 Marsit të mbajtur nga grupi i punës i Këshillit Shtetëror për parandalimin dhe kontrollin e COVID-19, thuhet në të.

Dokumenti u postua për herë të parë të Premten në mëngjes në faqen e internetit të Universitetit Fudan në Shangai, një nga universitetet kryesore të Kinës.

Kur CNN telefonoi një numër kontakti i lënë në fund të njoftimit, një anëtar i stafit të departamentit të shkencës dhe teknologjisë së Ministrisë së Arsimit konfirmoi që ata kishin lëshuar direktivën.

"Nuk është menduar të bëhet publik - është një dokument i brendshëm", tha personi, i cili nuk pranoi të zbulojë emrin e tij.

Disa orë më vonë, faqja e Universitetit Fudan u çaktivizua.

Universiteti i Gjeoshkencës së Kinës në Wuhan gjithashtu postoi një njoftim të ngjashëm në lidhje me verifikimin (vettingun) shtesë për punimet e COVID-19 në faqen e saj të internetit. Kjo faqe që atëherë është fshirë, por një version i ruajtur i saj mbetet ende i qasshëm.

Studiuesi kinez që foli për CNN tha që njoftimi është lëshuar disa ditë më parë, duke shtuar se vetëm hulumtimi i COVID-19 i nënshtrohej kontrolleve shtesë.

David Hui Shu-cheong, një ekspert i sëmundjeve respiratorë në Universitetin Kinez të Hong Kongut, tha se ai nuk hasi ndonjë verifikim shtesë kur ai dhe një ekip studiuesish kinezë botuan një analizë klinike të rasteve të COVID-19 në “New England Journal of Medicine” në Shkurt.

"Atëherë, procesi ishte me të vërtetë i thjeshtë," tha ai për CNN përmes telefonit.

Hui tha se ai ende po rishikonte draftin e punimit deri në orën 3 të mëngjesit në ditën kur do të dorëzohej, dhe letra iu dërgua NEJM-it në mesditë.

"Nuk kishte asnjë kufizim fare," tha ai.

"Unë nuk e di nëse kjo ndodh sepse disa studiues publikuan diçka që konsiderohet e ndjeshme brenda vendit, në Kinë. Nuk jam i sigurt nëse është për shkak të polemikave në lidhje me origjinën e virusit që u paraqitën më vonë, dhe gjërave jo sensitive që bëhen gjithashtu të ndjeshme më vonë".

Origjina e virusit

Në fund të Dhjetorit, Vuhan raportoi rastet e para të koronavirusit, që u ndërlidhën nga autoritetet me një treg ushqimesh deti në qytet. Shkencëtarët në Kinë dhe në Perëndim kanë thënë se virusi ka të ngjarë të ketë origjinën te lakuriqët dhe u hodh te njerëzit nga një strehues apo bartës i ndërmjetëm - ashtu si kushëriri i tij që shkaktoi epideminë e SARS në 2002 dhe 2003.

Sidoqoftë, një pjesë e mediave sociale kineze dhe madje qeveria e vendit duket se kanë filluar një fushatë të koordinuar për të vënë në dyshim origjinën e virusit.

Zyrtarët kinezë dhe media shtetërore kanë theksuar në mënyrë të përsëritur se nuk kanë arritur në përfundim në lidhje me origjinën e saktë të virusit. Muajin e kaluar, Zhao Lijian, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, promovoi një komplot në Twitter se virusi kishte origjinën në SHBA dhe ishte sjellë në Kinë nga ushtria amerikane.

Yanzhong Huang, një bashkëpunëtor i lartë për shëndetin global në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë me qendër në Uashington, tha se origjina e koronavirusit është bërë një temë politikisht e ndjeshme në Kinë.

"Nuk është për t'u habitur që qeveria kërkon të kontrollojë hulumtimet shkencore të lidhura me këtë temë, në mënyrë që gjetjet të mos sfidojnë narrativën e vet mbi origjinën e virusit dhe përgjigjen e qeverisë ndaj krizës," tha profesori Huang për CNN.

"Rreziku është se kur hulumtimi shkencor u nënshtrohet nevojave të atyre që janë në pushtet, ai minon më tej besueshmërinë e narracionit të qeverisë, duke i bërë më bindëse akuzat për mosraportim dhe keqinformim."

Sipas një redaktori të një reviste mjekësore kineze, punimet hulumtuese mbi koronavirusin tashmë i nënshtrohen shtresave të verifikimit pasi ato të paraqiten në revistat akademike kineze.

Wang Lan, drejtoresha redaktuese e Revistës Kineze të Epidemiologjisë, tha se të gjitha punimet mbi COVID-19 duhet të kalojnë një proces aprovimi për "tema kryesore", pasi të dorëzohen në revistën e saj.

"Gjithmonë ka qenë rasti i tillë," tha ajo për CNN. "Ata duhet të miratohen nga tre nivele të organizatave. Është një proces i gjatë."

Studiuesi kinez që kërkoi të mbetet anonim, tha që nën kufizimet e reja, megjithatë, hulumtimi mbi koronavirusin që do t’a kundërshtonte narracionin zyrtar mund të shtypet nga Pekini.

"Unë mendoj se me rëndësi është që bashkësia shkencore ndërkombëtare të kuptojë se çdo revistë ose dorëshkrim nga një institucion kinez i hulumtimeve ka qenë i nënshtruar ndaj një kontrolli të dyfishtë nga qeveria," tha studiuesi. "Është e rëndësishme për ta të dinë se ka hapa shtesë midis hulumtimit të pavarur shkencor dhe publikimit përfundimtar."

 

Në raportim kanë kontribuar Steven Jiang dhe Alexandra Lin të CNN.

 Përktheu dhe përshtati: Elton Jashari

Copyright © Myth Buster.

A project by Democracy Lab

Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.