Mediat pro-Kremlin bëjnë propagandë anti BE me deklaratën e Vuçiq për eksportin e pajisjeve mjekësore

Burimi: DFRLab

Link

Data: 01/05/2020

Читај

Analizë nga DFRLab

Pandemia e virusit korona përveç ndryshimeve në sistemin e jetesës së njerëzve, ka hapur debate të shumta edhe mes shtetesh, organizatash e liderësh. Së fundmi, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka akuzuar padrejtësisht Bashkimin Evropian (BE) për ndalim të eksportit të pajisjeve mjekësore për shtetet që nuk janë pjesë e BE-së. Ndonëse deklarata e Vuçiq-it ishte e pabazë mediat pro-Kremlin në Rusi e shfrytëzuan të njëjtën për propagandën anti-BE.

“Prej sot, siç e dini, ne nuk mund të importojmë as të produkte, sipas vendimit të Bashkimit Evropian. Solidariteti evropian nuk ekziston. Ajo është vetëm përrallë në letër”, ka deklaruar Vuçiq përpara se të kërkonte ndihmë nga Kina dhe Rusia.

Gjithsesi, kjo deklaratë mjaftoi që mediat pro-Kremlin të përdornin të njëjtën për të ngritur dyshime në qëllimin e Serbisë për t’u bërë pjesë e BE-së, dhe për të prezantuar Rusinë si një partner më të besueshëm që është i përkushtuar të ndihmojë Serbinë.

Nga ana tjetër, Komisioni Evropian nëpërmjet një akti jo-legjislativ delegoi autorizimin për të eksportuar maska në shtetet që nuk janë pjesë e BE-së, eksporti i maskave në shtetet e treta nuk u ndalua kurrë në nivel të BE-së. Përkundrazi, masa u miratua për t'i lejuar shteteve anëtare lirinë për të marrë "qasje individuale që ndikojnë në qarkullimin e pajisjeve të tilla brenda një tregu të vetëm, si dhe në vendet e treta”. Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se pajisjet mjekësore mund të eksportohen në vendet që nuk janë anëtare të BE-së me autorizim të qeverive përkatëse të shteteve anëtare të BE-së. BE ka adoptuar një sistem të lejeve për shitjen e pajisjeve mjekësore në shtetet që nuk janë anëtarë të BE-së; Serbia ka mundur të paraqesë një kërkesë në sistem, sipas të cilit do të ishte e mundur të merrte pajisje mjekësore pas autorizimit.

Serbia është kandidate për anëtarësim në BE, por mban lidhje të ngushta me Rusinë, gjë që ka një impakt negativ në anëtarësimin e Serbisë në institucionet euro-atlantike. Normalisht, asnjë detaj nuk u ik mediave pro-Kremlin, dhe virusi korona u pa nga Rusia si një mundësi për të përparuar në interesat e saj. Më 3 prill Moska dërgoi personel mjekësor dhe mjete të tjera në Serbi për ta ndihmuar të njëjtën në luftën kundër pandemisë.

Mediat pro-Kremlin duan Serbinë larg Bashkimit Evropian

Duke shfrytëzuar deklaratën e presidentit Vuçiq mediat pro-Kremlin thanë se ndalimi i eksportit të maskave është dështim i BE-së për të treguar solidaritet ndaj Serbisë. Një artikull i publikuar nga Ria Novosti pretendon se Serbia ka kërkuar ndihmë për pajisje mjekësore nga Brukseli, por i njëjti ka refuzuar të ndihmojë. Andaj dhe Serbia është detyruar të kërkojë ndihmë nga Kina dhe Rusia të cilat edhe kanë dërguar vegla mjekësore në Bruksel.

Një tjetër artikull nga Nezavisimaya Gazeta spekulon se pasi kriza e virusit korona të përfundojë qeveria serbe do të bënte një “zgjedhje të mençur” nëse do të refuzonte anëtarësimin në BE. Autorja e artikullit, Elena Ponomareva sugjeron se fati i Serbisë evropiane u vu në dyshim sapo Europa u përball me armikun e panjohur Covid-19.

Të tjera media pro-Kremlin gjithashtu përsëritën qëndrimin e rrejshëm se Bashkimi Evropian ka ndaluar eksportin e pajisjeve mjekësore për shtetet jashta BE-së. Duke e prezantuar veten si të besueshme dhe të përgjegjshme ndaj krizës së Covid-19, Kremlin tenton të vë në lëkundje besueshmërinë e BE-së duke përdorur një gjuhë ofenduese me fakte të rreme.

Bashkimi Evropian është donatori më i madh i Serbisë që nga viti 2000

Në fund të muajit mars të 2020, Bashkimi Evropian lejoji Serbinë të ridestinojë  94 milion dollarë nën Instrumentin e Ndihmesës Para-Anëtarësimit (IPA) drejt projekteve që mbështesin sistemin e kujdesit shëndetësor të vendit në mes të pandemisë. Nga kjo shumë Serbia do të shpenzojë 15 milion euro në pajisje mjekësore dhe 79 milion euro për rimëkëmbjen ekonomike. Më 20 mars, disa ditë përpara se Rusia dërgoi ndihmën humanitare, BE-ja siguroi ndihmë të menjëhershme në vlerë prej 7.5 milion euro për Serbinë.

Ashtu si edhe delegacioni i BE-së në Serbi ka deklaruar, BE-ja i ka ofruar Serbisë 200 milion euro grante dhe 250 milion euro kredi gjatë 20 viteve të fundit për të forcuar sistemin shëndetësor. Së fundmi, BE ka aktivizuar mekanizmin e mbrojtjes civile për Serbinë, duke e lejuar kështu shtetin të kërkojë ndihmë më shpesh nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, sondazhet tregojnë se serbët nuk e kanë një ide të qartë se cilat janë burimet parësore të shtetit. Në vitin 2019, vetëm 26% e serbëve e dinin se BE-ja është donatori më i madh i shtetit që nga vitin 2000; 23% gabimisht besojnë se donatori më i madh është Rusia, derisa 20% besojnë së është Kina.

Përshtati për MythBuster: Rita Behadini

Abaliza e plotë: DRFLab

Copyright © Myth Buster.

A project by Democracy Lab

Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.