Infodemia e pandemisë

Burimi: Klubi i Debatit Politik

Link

Data: 02/04/2020

Infodemia e pandemisë

Autor: Sefer Selimi Jr. për Klubi i Debatit Politik (KDpolitik.com)

Shpërthimi i pandemisë globale të virusit Covid-19 e gjeti botën të papërgatitur për një përgjigje të koordinuar, të shpejtë dhe efikase ndonëse kjo nuk është as e para e as e fundit kur vetëm në dy dekadat e fundit njerëzimi u përball me epidemi si Sarsi, Gripi i derrave, i shpezëve dhe superviruse tjera të cilët pësuan mutacion gjatë evoluimit të tyre. Historikisht njerëzimi është kërcënuar edhe shumë herë tjera nga pandemi të cilat e kanë sjellë në prag të ekzistencës, siç është Murtaja e madhe apo Vdekja e Zezë e përhapur në vitet 1347 – 1351 që morri jetën e 1/3 të evropianëve, Gripi Spanjoll nga i cili vdiqën mes 50 dhe 70 milion njerëz apo pandemitë e kolerës që kanë gjunjëzuar më shumë se 6 herë botën. 

Ekosistemi i bashkëjetesës me miliona specie dhe organizma të ndryshëm do të sfidojë gjithmonë ekzistencën e njëri tjetrit dhe njerëzit nuk janë përjashtim në procesin e selektimit  natyror ku mbijeton më i forti megjithëse ne, njerëzit, në vazhdimësi ndërtojmë mbinjeriun me sistem imunitar më të fuqishëm se paraardhësit tanë duke zbuluar vaksina mbrojtëse, preparate dhe barna mjekësore që janë shkatërruese për bakteret dhe mikroorganizmat që e sulmojnë atë. Sistemi ynë imunitar do të vazhdoj të sfidohet përgjithmonë nga sëmundje për të cilat nuk kemi shpikur ilaçet ende, por edhe nga mutacioni i viruseve dhe baktereve të cilat gjithashtu evoluojnë për t’iu rezistuar antibiotikëve dhe vaksinave ekzistuese, një luftë që do të vazhdoj për aq kohë sa ekziston jeta mbi tokë. 

Në ndërkohë që bota me gjithë kapacitetet e veta është vënë në luftë me një armik të padukshëm që nuk njeh as racë as kufij me të njëjtën shpejtësi përhapet edhe infodemia, një shpërthim i paprecedentë i sasisë së informacionit lidhur me pandeminë globale. Ndryshimi që solli teknologjia në komunikimin tonë të përditshëm krijoi parakushtet që ne të jemi të bombarduar nga të gjitha anët me informata dhe lajme, një pjesë e madhe e të cilave janë të pasakta, të rrejshme ose janë vazhdimësi e kampanjave të dezinformimit edhe para shpërthimit të pandemisë. Infodemia, ashtu si edhe pandemia është e dëmshme në aspektin socio-ekonomik për shoqëritë tona duke vënë në rrezik jo vetëm sistemet politiko-shoqërore dhe ekonomike por edhe shëndetin tonë kolektiv dhe individual mental dhe fizik. 

Informatat e pasakta, lajmet e rrejshme apo dezinformatat lidhur me virusin, simptomat dhe trajtimin e tij, mund të rrezikojnë drejtpërdrejtë jetët e qytetarëve. Duke dhënë rekomandime të gabueshme qytetar të ndryshëm mund të ndërmarrin veprime të cilat rrezikojnë jetën e tyre, të familjeve por edhe të gjithë rrethit në të cilin jetojnë. Kështu për shembull duke relativizuar virusin korona me një grip të zakonshëm sezonal qytetarët mund të ulin nivelin e kujdesit, t’iu shmangen rekomandimeve dhe me këtë të nxisin përhapjen edhe më të madhe të pandemisë. Nga ana tjetër, ‘’ilaçet magjike’’ nga gjyshja, një mjek popullor apo një mjek kinez, iltalian apo nga një cep tjetër i botës, kanë potencialin të nxisin individë që të vendosin në rrezik shëndetin e tyre nga pasojat e përdorimit të tyre duke mos ditur se si do të reagojnë apo cilët janë efektet e tyre anësore. 

Një pjesë shumë e madhe e kësaj infodemie nxitet dhe orkestrohet nga interesa lukrative, oportuniste dhe për qëllime të përfitimeve financiare, sidomos nga komunikacioni elektronik në webfaqet që i shpërndajnë këto. Profiterët e kësaj lufte do t’ju shesin medikamente, sirupe, maska dhe gjithçka tjetër që mund ta ndërlidhin me pandeminë dhe reklamat e tyre paraqiten gjithkah në rrjetet tuaja sociale. Ky moment është i artë për teoricienët e konspiracionit, anarkistët, sharlatanët dhe aktorët e dëmshëm antidemokratik që në vazhdimësi punojnë për të rrënuar besimin në demokracinë si sistem qeverisës dhe për të avancuar interesat e tyre strategjike, posaçërisht duke proklamuar autoritarizmin e liderëve të cilët me udhëheqjen e tyre autokrate janë më efikas në parandalimin pandemisë dhe kujdesin për qytetarët e tyre. 

Në këtë kohë të pandemisë natyrisht që të gjithë jemi të frikësuar, konfuz dhe të brengosur për të ardhmen me plot të panjohura, për atë që do të pasoj pasi të kaloj e gjithë kjo gjendje në të cilën askush prej nesh nuk zgjodhi të ishte. Shpresat tona për ta fituar luftën me virusin i kemi varur tek shkencëtarët, mjekët dhe të gjithë ata që janë në vijë të parë për të mbrojtur dhe shpëtuar jetët tona. Por luftën me infodeminë mund ta fitojmë edhe vetë me përpjekje minimale dhe duke qenë pak më të kujdesshëm se cilët informacione i konsumojmë, duke i marrë me rezervë dhe duke u kujdesur që mos të bëhemi padashur pjesë e keqinformimit. Ajo që duhet të bëjmë është që të informohemi nga institucione dhe njerëz kompetent, mediume relevante dhe të mos shpërndajmë me miqtë dhe të afërmit çdo informacion pa e analizuar mirë dhe pa bërë një hulumtim paraprak rreth asaj që lexojmë. Të mos jesh i informuar është keq, të jesh i keqinformuar është e dëmshme por të keqinformosh është e rrezikshme

Copyright © Myth Buster.

A project by Democracy Lab

Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.