Bill Gates është objektivi kryesor për teoritë konspirative mbi koronavirusin

Burimi: CNBC

Link

Data: 18/04/2020

Читај

E publikuar: e Premte, 17 Prill 2020

Nga Tom Huddleston Jr.

Bill Gates ka qenë një nga personazhet më të zëshëm në publik për pandeminë e koronavirusit. Por, filantropi miliarder dhe bashkëthemeluesi i Microsoft është bërë gjithashtu një objektiv kryesor i teorive konspirative të ndryshme që kanë dalë rreth përhapjes së Covid-19.

Teoritë e konspirative që ndërlidhin gabimisht Gates-in me origjinën e koronavirusit në një mënyrë ose një tjetër u përmendën 1.2 milion herë në televizione ose media sociale nga Shkurti deri në Prill, sipas një analize nga New York Times dhe Zignal Labs, një kompani analitike e mediave, e publikuar të Premte.

Kjo është afërsisht 33% më shumë se tema e dytë më e njohur e teorisë konspirative mbi koronavirusin gjatë asaj kohe, e cila lidhi teknologjinë e rrjetit wireless 5G me pandeminë virale.

Në fakt, në Prill, teoritë e komplotit që lidhin Gates me koronavirusin - përfshirë disa pretendime që Gates ka pasur njohuri paraprake se do të kishte një pandemi të koronavirusit, ose një tjetër që pretendonte se miliarderi dëshironte të implantonte popullsinë globale me mikroçipa vaksinimi për të luftuar sëmundjen Covid-19 - arriti kulmin, duke u përmendur 18,000 herë në TV dhe media sociale në ditë, sipas Zignal Labs.

Gates është rregullisht i pranishëm në intervistat televizive dhe të audio regjistrimeve , në të cilat ai vlerësohet për premtimin e Fondacionit Bill & Melinda Gates të 250 milion dollarëve për të ndihmuar botën të zhvillojë një vaksinë efektive të koronavirusit. Ai poashtu, ndonjëherë, ka qenë kritik për përgjigjen e qeverisë amerikane ndaj pandemisë globale.

"Sh.B.A-të janë përtej mundësisë për të kontrolluar COVID-19 pa mbyllje," tha Gates gjatë një intervistë me video të TED Connects në Mars. "Ne nuk kemi vepruar aq shpejt sa të kemi një aftësi për të shmangur mbylljen."

Gates gjithashtu tha këtë javë se vendimi i Presidentit Donald Trump për mosfinancimin e Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) është "aq i rrezikshëm sa edhe tingëllon".

Teoricienët e konspirativ janë kapur edhe për faktin se Gates është shprehur hapur në lidhje me kërcënimin që një pandemi globale mund të paraqiste brenda disa viteve, dhe disa thonë që ky është fakt që miliarderi e dinte për koronavirusin përpara kohe.

Për shembull, Gates - i cili raportohet se ka grumbulluar ushqime në bodrumin e tij për t'u përgatitur për një pandemi, sipas gruas së tij, Melinda - dha një fjalim TED Talk në 2015 duke paralajmëruar njerëzit se një virus infektiv ishte një rrezik më i madh për njerëzimin sesa lufta bërthamore. Ky fjalim ka pasur 25 milion shikime të reja në YouTube javët e fundit, sipas The New York Times, dhe grupe të ndryshme kundër vaksinimit dhe grupi i komplotit QAnon tani thuhet se citojnë videon si dëshmi të supozuar të njohurisë paraprake të Gates për ngjarjen.

Në YouTube, videot e njohura që lidhin gabimisht Gates me përhapjen e koronavirusit janë shkëmbyer miliona herë, shënon Times, ndërsa Zignal Labs zbuloi se më shumë se 16,000 postime në Facebook që përhapin dezinformata në lidhje me Gates dhe koronavirusin u pëlqyen dhe u komentuan pothuajse 900,000 herë këtë vit.

YouTube dhe Facebook iu përgjigjën raportit të Times duke vënë në dukje se kompanitë po punojnë për të ndaluar dezinformatat në lidhje me koronavirusin në platformat e tyre.

Në mars, CNBC raportoi në përpjekjet e Facebook për të hequr "pretendimet e rreme dhe teoritë e komplotit që janë theksuar nga organizatat kryesore globale të shëndetit." Facebook gjithashtu tha në atë kohë që gjigandi i rrjeteve sociale do t’i jepte hapësirë reklamimi falas Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) për të shkëmbyer informacione mbi virusin nga ekspertët e shëndetit.

Uebfaqja PolitiFact e Institutit Poynter gjithashtu është përpjekur në mënyrë aktive të rrëzojë teori të ndryshme të komplotit që lidhin Gates me koronavirusin.

Ndërkohë, vetë Gates nuk pranoi të komentojë raportin e Times. Sidoqoftë, Mark Suzman, shefi ekzekutiv i fondacionit Bill & Melinda Gates, i tha gazetës se është "shqetësuese që ka njerëz që përhapin dezinformata kur të gjithë ne duhet të kërkojmë mënyra për të bashkëpunuar dhe për të shpëtuar jetë."

MythBuster.mk gjithashtu ka dekonstruktuar teori të konspiracionit dhe lajme të rrejshme rreth Bill Gejts.  

 

Përktheu dhe përshtati: Elton Jashari

Copyright © Myth Buster.

A project by Democracy Lab

Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.