8 Argumente kineze kundër „arrogancës” perëndimore dhe pse janë të pa baza

Burimi: The Diplomat

Link

Data: 07/05/2020

Читај

Reagimi i dobët i Evropës perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara Të Amerikës gjatë pandemisë ka ringjallur deklinizmin perëndimor. Një shembull i fundit është një shkrim nga Zhou Bo nga Qendra Amerikano-Kineze për çështje të mbrojtjes, Akademia e shkencave ushtarake e Ushtrisë çlirimtarë të popullit kinez. Deklaratat e  Zhou janë të rëndësishme, por gjithashtu edhe kryesisht të gabuara, dhe prandaj duhen kritikuar. Në vazhdim do bëj një përmbledhje të argumenteve të Zhou, para se t’i hedh poshtë ato.

 1. Perëndimi po „shkatërrohet” dhe ndodhet në „nivelin më të ulët të besimit”, bazuar kjo në vrojtimin se Evropa nuk ka një reagim të koordinuar ndaj pandemisë.

Evropa është një përmbledhje e qeverive sovrane me një sovranitet të përbashkët shumë të kufizuar. Secili shtet praktikon politikat e veta në shumë fusha, përfshirë këtu edhe reagimin ndaj pandemisë. Ngjashëm me këtë, Kina dhe fqinjët e saj në Azinë veriore, Japonia, Koreja e Veriut, Koreja e Jugut, Mongolia dhe Tajvani kanë politika të veçanta kombëtare për reagim ndaj pandemisë. Kjo nuk nënkupton që ndonjë nga këto shtete të Azisë verilindore po përjeton krizë besimi në sistemin politik të vendit.

2. Kina i zbatoi me sukses masat emergjente kundër epidemisë të cilat tani po „zbatohen në mbarë botën.” 

Qeveria Kineze relativisht shpejt ndërmori masa drastike të cilat janë relativisht të lehta për një shtet autoritar me kompetenca të pakufizuara policore. Por, Perëndimi nuk do tentojë t’i imitojë” aspektet  e tjera të reagimeve kineze të cilat Zhou nuk i përmend në tekst: Qeveria kineze raportimet e para për sëmundjen i trajtonte si thashetheme kriminale, në ditët e para aq të rëndësishme ajo i fshehu informacionet për epideminë, i bllokoi rezervat e pajisjeve mjekësore të blera nga jashtë vendit nga importuesit në kohën kur në Kinë kishte mungesë të tyre, kërkoi nga vendet e tjera që t’i heqin kufizimet ndaj udhëtarëve kinezë ndërkohë që vetë i diskriminonte dhe sakrifikonte të huajt, tentoi ta rishkruajë historinë për rolin e Kinës në këtë  pandemi dhe t’i fshehë shifrat e vërteta të të sëmurëve dhe të vdekurve në Kinë.

3. Për shkak të pandemisë Shtetet e Bashkuara do e humbin konkurrencën strategjike me Kinën dhe Rusinë, sepse Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për pajisje mjekësore nga Kina, dhe pa dallim të pandemisë, ata janë të varur nga Kina për barna.

Nevoja e Shteteve të Bashkuara për importim të pajisjeve mjekësore është e përkohëshme dhe kalimtare, dhe ajo nuk do i kufizojë aftësitë e Shteteve të Bashkuara për konkurrencë strategjike me Kinën. Megjithatë, kjo pandemi e përshpejtoi distancimin e Amerikës nga Kina sa i përket blerjeve vitale, edhe pse Kina është prodhuesi më i lirë. Komentatorët kinez si Zhou, që lëvdohen me këtë varshmëri të stërmadhe të Amerikës nga Kina, pa qëllim u bëjnë një nder të madh amerikanëve.

4. „Kina dhe Evropa doеmos do afrohen „sepse Evropa e ndarë natyrshëm do kthehet kah lindja” dhe sepse Evropa, ashtu si edhe Kina, dëshiron një „multilaterizëm” në „tregtinë globale”, ndryshimet klimatike dhe „rolin e institucioneve ndërkombëtare”, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kundër.

E para, nuk është e logjikshme të vihet në përfundimin se zvogëlimi i përkushtimit ndaj integrimit evropian nga ana e disa vendeve të caktuara të Evropës perëndimore do i detyrojë ato të kthehen „natyrshëm” kah Kina. Zhou do duhet të vërtetojë se disa vende të caktuara evropiane duan të bëjnë tregti ose të kenë një pajtueshmëri më të madhe me Kinën, por që nuk kanë mundur ta bëjnë këtë për shkak të anëtarësisë së tyre në BE ose për shkak të (mungesës) së udhëheqjes amerikane. Por, Zhou nuk e bën këtë.

E dyta, për Zhou është tepër e thjeshtë dhe e gabuar të thotë se Kina dhe Evropa e shohin „multilaterizmin” në një mënyrë që e le jashtë loje Amerikën. Në pajtim me politikën amerikane të dekadave të kaluara, Uashingtoni vazhdon ta mbështesë NATO-n, angazhohet për të drejtat e njeriut dhe demokracitë në mbarë botën edhe është partneri kryesor tregtar i BE-së.

Pekini, nga ana tjetër, në mënyrë rutinore i shkel ose nuk i respekton të drejtat ndërkombëtare kur bëhet fjalë për interesat kineze, shpesh herë mban anën e shteteve problematike dhe kundërshton tentativat e organizatave ndërkombëtare për përfaqësimin e parimeve liberale. Sipas idesë së Kinës për tregti multilaterale,  vendet e tjera duhet të jenë të hapura për importim të mallrave kineze dhe për ekstraktim të teknologjisë, ndërkohë që Kina zhvillon një politikë proteksioniste dhe predatore kundër investimeve perëndimore të drejtpërdrejta në Kinë.  Liderët politik evropian janë shumë të ngjashëm me përfaqësuesit e administratës së Trump-it, sa i përket kritikave të fundit ndaj Kinës për çështje të ndryshme.

Pyetja është nëse dëshira e shteteve evropiane për lidhje me Kinën shtrihet përtej dëshirës së tyre për pjesëmarrje në përfitimet e mundshme ekonomike.

5. Аmerikanët duan që BE-ja ta shikojë Kinën si një armik, por nuk do kenë sukses sepse „vetë themelimi i BE-së pjesërisht është bërë për të evituar konkurrencën e fuqisë së madhe”.

Me sa duket kjo i referohet tentativave amerikane për t’i dekurajuar partnerët e sigurisë nga angazhimi i korporatës kineze Huawei për ndërtimin e infrastrukturave të avancuara për rrjetet e të dhënave. BE është themeluar mbi bazë të asaj që filloi si një interes i përbashkët i Evropës perëndimore, jo për „evitimin e konkurrencës të fuqisë së madhe”, por për një mbrojtje të përbashkët dhe parandalim të rrezikut nga një fuqi e madhe. Kina është larg së qenit një Bashkim Sovjetik i ri, por po tërheq një vëmendje të caktuar negative për çka disa qeveri evropiane hesitojnë të përdorim sistemet e Huawei.

6. Ме shkëputjen ekonomike të Shteteve të Bashkuara nga Kina, Evropa do fitojë një „fluks më të madh të ushqimit, kapitalit, punonjësve dhe teknologjisë nga Kina”.

A është kufizuar eksporti Kinez nga fakti që Kina ka zgjedhur që të tregtojë me Shtetet e Bashkuara dhe jo me Evropën? Gjithsesi, interesi i SHBA-ve për shkëputje është nxitur nga shqetësimi që kanë amerikanët për shkak të varshmërisë ekonomike nga Kina. Vendet e Evropës perëndimore e kanë të njëjtin shqetësim, që do të thotë se mund të mos duan gjithçka që do ju ofrojë Kina.

7. Pandemia „mund të paraqesë një kthesë në sigurimin e të mirave publike në vend”, siç demonstroi Kina e cila siguroi materiale mjekësore për shumë vende të prekura nga virusi.

Shitja e materialeve mjekësore të grumbulluara paraprakisht nuk nënkupton sigurim të të mirave publike. Zhou është i saktë kur thotë se Kina ka kapacitet të jetë një „Samaritan i mirë” global me prodhimin e shpejtë të sasive të mëdha të artikujve të caktuar për të cilat ka një kërkesë të madhe nga vendet e tjera gjatë një krize humanitare. Kina do ishte e mirëseardhur në realizmin e një roli të tillë. Megjithatë, ky është një nivel relativisht i ulët i sigurimit të të mirave materiale. Një nivel më i lartë do kishte qenë nëse intervenohej në një shtet të dështuar duke dërguar ushqim dhe ndihma të tjera ndërkohë ai ai është nën konflikt armiqësor, siç bënin Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Somali në vitet 1993-1994. Pekini u shmanget operacioneve të këtilla, sepse janë të vështira dhe kontradiktore, por lidershipi ndërkombëtar në thelb është i vështirë dhe kontrovers.

8. Nuk ka rëndësi nëse vendet janë demokratike ose autoritare, rëndësi kanë performansat e qeverisë. Gjatë pandemisë Kina, Japonia, Koreja e Jugut dhe Singapori dëshmuan se është e domosdoshme të jesh një shtet „i fuqishëm dhe i vendosur” dhe se modeli perëndimor i qeverisjes së kufizuar nuk mund të përballet me kriza.

Me pranimin se demokracitë shumëpartiake si Japonia dhe Koreja e  Jugut e përballuan mirë pandeminë, Zhou në mënyrë fatale e rrëzon argumentin e tij të nënkuptuar se mungesa e lirive politike dhe qytetare në Kinë arsyetohet me performansat superiore qeveritare. Japonia dhe Koreja e Jugut politikisht janë më të ngjashme me Evropën perëndimore se sa me Kinën. Përveç kësaj, Zhou harron të përmendë edhe dy shtetet të cilat u lëvduan më së shumti për reagimin e tyre ndaj pandemisë, Zelandën e Re dhe Tajvanin, dy demokraci tjera liberale. Konkretisht, duke e injoruar Tajvanin, Zhou heshtazi na rikujton se modeli kinez e autorizon tejmase regjimin për t’i dhënë prioritet mbijetesës së tij, dhe për rrjedhoj shkakton mungesë mëshire dhe dëshirë për hakmarrje, madje edhe në kurriz të shoqërisë ndërkombëtare dhe asaj në vend.

Evropianët duan të përfitojnë nga Kina, por për ato modeli kinez nuk do jetë frymëzues dhe joshës politikisht apo kulturalisht përderisa në Kinë sundon një regjim me qëllime dhe politika aq të kundërta me traditat liberale të Evropës perëndimore.

Denny Roy është bashkëpunëtor i lartë në Qendrën East-West në Honolulu. Ai është i specializuar për çështje strategjike dhe ndërkombëtare të sigurisë në rajonin Paqësoro-Aziatik.

Ky shkrim fillimisht u publikua në buletinin informativ „PacNet “ të Forumit të Pacifikut. Komentet dhe përgjigjet në PacNet i përfqësojnë qëndrimet e autorëve përkatës.

Copyright © Myth Buster.

A project by Democracy Lab

Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.